Workshop 18-19 Korrik: Fuqizimi i Përgjegjësisë Sociale të Korporatave
Më 18-19 korrik, në ambientet e Universitetit Barleti u mbajt një workshop me temë “Fuqizimi i Përgjegjësisë Sociale të Korporatave” (CSR), në bashkëpunim me Sweden Alumni Network Western Balkans. Ky network përbëhet nga profesionistë shqiptarë që kanë marrë pjesë në programe akademike dhe profesionale në Suedi.
Workshop-i synonte të rrisë njohuritë dhe zbatimin e CSR ndër profesionistët në Shqipëri. SANWB përzgjodhi Universitetin Barleti për të ofruar këtë trajnim, duke pasur parasysh përvojën dhe ekspertizën e gjerë të stafit të tij akademik në fushën e menaxhimit të biznesit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Përgjegjësia Sociale e Korporatave (CSR) është një koncept që synon të integrojë praktikat e qëndrueshme dhe etike në strategjitë dhe operacionet e përditshme të bizneseve, duke kontribuar kështu në përmirësimin e kushteve sociale, mjedisore dhe ekonomike të komuniteteve ku ato veprojnë.
Workshop-i nisi me sesionin e Dr. Rezart Priftit, i cili ofroi një tablo kritike të CSR dhe aplikimit të tij në Shqipëri. Sesioni i tij u pasua nga një diskutim i këndshëm paneli, ku Drilona Toslluku nga UNDP, si menaxhere e projektit “Business Partnerships for Solutions”, bashkë me të ftuarit Dritan Nako nga Antea Cement sh.p.k dhe Eldisa Cirogu nga Commercey, ndanë përvojat mbi gjendjen aktuale të CSR në kompanitë e tyre dhe të ardhmen e këtyre praktikave në tregun shqiptar. Ata gjithashtu ndanë eksperiencën e tyre si fitues të çmimeve “SDG Business Pioneer Awards”, një iniciativë inovative e projektit të Drilonës në UNDP.
Gjatë pushimit të kafes, pjesëmarrësit shijuan embëlsirën tradicionale suedeze kanelbullar duke krijuar një atmosferë të rrjetëzimit dhe bashkëbisedimit, në stilin e vërtetë suedez. Fika është një koncept suedez ku pushimi i kafes me një të afërm apo koleg shoqërohet gjithmonë me një embëlsirë.
Dita e dytë vazhdoi me sesione të dobishme nga Dr. Kejda Nuhu dhe Adri Nurellari. Dr. Kejda Nuhu prezantoi mënyrat se si crowdfunding mund të përdoret për të përmirësuar praktikat e CSR, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të komunitetit dhe të palëve të interesit në financimin e projekteve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Ajo ndau shembuj konkretë të projekteve të suksesshme të crowdfunding që kanë ndikuar pozitivisht në praktikat e CSR të kompanive.
Adri Nurellari mbajti një sesion të thelluar mbi aspektet historike dhe politike të CSR. Ai eksploroi se si ideologjitë politike kanë ndikuar dhe formësuar politikat e CSR në vende të ndryshme, duke përfshirë kontributet e tregut të lirë dhe qasjet e taksave të larta. Adri shpjegoi se si korporatat mund të bashkëpunojnë me shtetin për të avancuar praktikat e qëndrueshme dhe të përgjegjshme, duke balancuar interesat ekonomike dhe sociale.
Njohuritë mbi CSR për profesionistët shqiptarë janë thelbësore pasi biznesi po rritet me ritme të shpejta në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe ndërtimit. Këto sektorë kanë nevojë për presion dhe rregullatorë më të fortë, por gjithashtu edhe për ndërgjegjësim më të madh të publikut, në mënyrë që qytetarët t’i mbajnë kompanitë të përgjegjshme për veprimet dhe impaktin e tyre në ambient dhe jo vetëm.
Prania e individëve me mendësi të ngjashme në evente si ky workshop është shumë e rëndësishme për ndarjen e ideve, përvojave dhe praktikave më të mira. Këto takime ndihmojnë në krijimin e një rrjeti të fortë profesionistësh që mund të bashkëpunojnë për të avancuar praktikat e CSR dhe për të krijuar një ndikim pozitiv në kompanitë ose komunitetet e tyre.
Është e rëndësishme të theksojmë se CSR nuk duhet të jetë vetëm një iniciativë e imponuar nga shteti, por një mendësi që duhet të vijë nga poshtë lart. Kompanitë, veçanërisht ato të reja, duhet të adoptojnë qëndrueshmërinë dhe përgjegjësinë si pjesë të pandashme të strategjive të tyre të biznesit. Inovacioni dhe ndryshimi janë të nevojshme për të siguruar që praktikat e CSR të jenë të efektshme dhe të qëndrueshme në afat të gjatë.
Ky workshop nënvizoi rëndësinë dhe urgjencën e CSR në peizazhin e sotëm të biznesit, duke ofruar mjete praktike dhe duke nxitur partneritete bashkëpunuese. Universiteti Barleti shpreh mirënjohjen e tij të thellë për Swedish Institute për mbështetjen e tyre dhe për të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre entuziast. Ne presim me padurim të vazhdojmë këtë dialog të rëndësishëm dhe të çojmë përpara agjendën e CSR në Shqipëri.